Kisha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; rreth vitit 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj, prej famullitarit të atëhershëm të katundit, Dom Ndre Mjeda. Ai kaloi aty tridhjetë vite të jetës; aty shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij ,­perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra” shkroi librat e gjuhës shqipe për nxënësit; aty ka këmbyer korrespondencën me Gustav Majerin e albanologë e gjuhëtarë të tjerë miq të tij europianë. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve 1921­-1927 kur qe deputet i Parlamentit të parë shqiptar për dy legjislatura. Kisha, ndërtuar sipas stilit neoklasik, e vogël, por e ngjashme me simotra të tjera në Itali, Poloni, ku ai studioi a gjetkë në Europë, jetoi madje mbijetoi edhe pas “tërmetit” ideologjik ateist të vitit 1967, kur u shembën edhe kisha shumë më të vjetra.

Open chat
Powered by